Macron i gatshëm për përmirësimin e projektreformës së pensioneve
Presidenti francez, Emmanuel Macron është i gatshëm të përmirësojë projektreformën e pensioneve, objekt i grevave dhe manifestimeve që prej dy javësh, njoftoi sot kabineti i tij para bisedimeve të mëtejshme të qeverisë dhe partnerëve sociale.
“Presidenti francez nuk do ta braktisë projektin e kundërshtuar, por ai është i gatshëm ta përmirësojë nëpërmjet diskutimeve me sindikatat”, theksoi presidenca duke parashikuar avancime deri në fund të javës.
Me përfaqësuesin e ri të planit të reformës së pensioneve të qeverisë, Laurent Pietraszewski, kryeministri Eduard Philippe priti liderët e sindikatave në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga kjo krizë që ka paralizuar gjerësisht transportin publik.
Sipas presidencës, Macron është i vendosur për objektivin për të arritur një ndërprerje të mobilizimit gjatë festave të fundvitit.























