Conte: Italia do të vazhdojë mbështetjen ndaj OKB-së
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka diskutuar në Romë me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, mbi krizën në Libi dhe ndryshimet klimatike.
Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Conte tha se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë me një "vendosmëri maksimale" OKB-në për një të ardhme më të mirë.
I ndodhur në Romë për takime zyrtare, Guterres u prit nga kryeministri Conte në një drekë pune në rezidencën shtetërore Villa Madama.
Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit dypalësh, Conte tha se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë me një "vendosmëri maksimale" OKB-në për një të ardhme më të mirë.
Conte tha se Italia ka luftuar me shumë kriza.
"Na intereson kryesisht situata në Libi. Vlen të përmendet se roli i OKB-së për të promovuar zgjidhje të përbashkëta politike në Libi është thelbësor për ne", shtoi Conte.
Më tej, Conte riafirmoi mbështetjen e plotë për përfaqësuesin special të sekretarit të OKB-së për Libinë, Gassan Selame, si dhe shprehu shpresë që në muajin janar të mblidhet Konferenca e Berlinit.
Ndërsa Guterres shprehu falënderime ndaj Italisë për kontributet që ka bërë për OKB-në dhe rikujtoi se në Romë ka ardhur nga Madridi. Ai përsëriti se janë zhgënjyer nga rezultatet e Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP25.
"Në Madrid kemi humbur një front lidhur me luftën kundër ndryshimit të klimës, por nuk do ta humbasim këtë luftë. Jemi të vendosur në këtë çështje", tha Guterres.
Ndër të tjera në fjalën e tij, Guterres tha se viti i ardhshëm do të jetë një pikë kthese dhe se kjo buron nga shpresa e COP26, e cila do të zhvillohet në vitin 2020 me bashkëpunimin e Italisë dhe Britanisë.
Situatën në Libi, Guterres e përshkroi si një "kancer".
"Në Libi është thelbësore vendosja në mënyrë emergjente e një armëpushimi dhe më pas fillimi i menjëhershëm i një procesi politik. Si sekretar i përgjithshëm i OKB-së, jam i zhgënjyer për shkak të shkeljes së embargos së armëve të KS-OKB-së nga shumë vende", tha Guterres./aa/























