"Një vit pas masakrës në RD të Kongos, familjet presin drejtësi"
Ekipe të OKB-së u përfshinë në një hetim mbi masakrën për të zbuluar se të paktën 535 civilë u vranë dhe mbi 110 të tjerë u plagosën në sulmet e 16 dhe 17 dhjetorit të vitit 2018.
Mbikëqyrësi i të drejtave globale "Human Rights Watch" (HRW) ka theksuar se edhe një vit pas masakrave ndaj komunitetit etnik Banunu në Republikën Demokratike të Kongos autoritetet ende nuk kanë gjetur përgjegjësit për masakrën.
Një ekip nga zyra e të drejtave të njeriut e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe një mision i OKB-së në Republikën Demokratike të Kongos u përfshinë në një hetim mbi masakrën për të zbuluar se të paktën 535 civilë u vranë dhe mbi 110 të tjerë u plagosën në sulmet e 16 dhe 17 dhjetorit të vitit 2018.
Sipas hetuesve të OKB-së, vrasjet masive u nxitën nga një mosmarrëveshje për varrosjen e shefit të komunitetit Banunu në rajon.
"Sipas dëshmitarëve të OKB-së dhe qeverisë së Kongos, sulmuesit po ashtu dëmtuan, shkatërruan dhe rrënuan mbi 1.500 shtëpi, si dhe qendra shëndetësore, shkolla dhe vendvotime", tha në një raport HRW.
Drejtori i HRW-së për Afrikën Qendrore, Lewis Mudge, tha se një vit më pas, familjet e mbi 500 viktimave ende janë të dëshpëruar për drejtësi.
Mudge kërkoi nga qeveria të zbatojë përgjegjësitë e saj për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe të hetojë dhe ndjekë penalisht autorët e sulmeve.
Në muajin shkurt, HRW hetoi masakrat në territorin e fshatin Yumbi në veriperëndim të Republikës Demokratike të Kongos.
Sipas hetimit, qindra banorë të fshatit Batende sulmuan fshatin Yumbi, si dhe fshatrat Nkolo II dhe Bongende.
Rreth 16 mijë banorë u larguan nga Yumbi për shkak të sulmeve, gjysma e të cilëve u kthyen përsëri një vit më vonë, thuhet në raportin e HRW-së i cili po ashtu përmend se 20 mijë ishin zhvendosur brenda territorit.























