BE: Të gjitha palët në Libi të vetëpërmbahen
Bashkimi Evropian u bëri thirrje të gjitha palëve në Libi për vetëpërmbajtje, duke tërhequr vëmendjen për rritjen e tensioneve kryesisht në kryeqytetin e Libisë, Tripoli.
Zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Peter Stano, në një deklaratë me shkrim lidhur me këtë çështje theksoi se zgjidhja në Libi nuk mund të arrihet me rrugë ushtarake dhe se duhet përqendrim në propozimet politike të negociuara dhe të paraqitura nga Kombet e Bashkuara (OKB).
“Të gjithë anëtarët e Komunitetit ndërkombëtar duhet të vëzhgojnë dhe të respektojnë embargon e armëve të OKB-së”, deklaroi Stano, i cili ka shtuar se BE-ja mbështet në mënyrë të fuqishme procesin e Berlinit dhe negociatat politike të kryera nga Ghassan Salame, përfaqësuesi special i OKB-së për Libinë.
“Në kuadër të tensioneve në rritje në Libi dhe kryesisht në Tripoli, BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve që të ndalojnë aktivitetet e tyre ushtarake dhe të rifillojnë sërish dialogun politik”, deklaroi Stano./ATSH/























