Tokio: Shumë herët për heqjen e sanksioneve kundër Phenianit
Është shumë herët për të hequr sanksionet ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut, theksoi sot diplomacia japoneze, ndërkohë që kryeministri japonez, Shinzo Abe u prit në Pekin nga presidenti kinez, Xi Jinping.
Moska dhe Pekini depozituan javën e kaluar para Këshillit të Sigurimit të OKB-së një propozim për uljen e sanksioneve që rëndojnë ndaj Koresë së Veriut, me kusht që ky vend të avancojë drejt denuklearizimit.
”Në samit në Pekin, drejtuesi kinez dhe japonez shqyrtuan çështjen”, njoftoi për shtypin zëdhënësi i diplomacisë japoneze, Otaka Masato.
“Qëndrimi ynë është se është shumë herët për një heqje të sanksioneve duke marrë parasysh atë që po ndodh aktualisht rreth Koresë së Veriut”, deklaroi Otaka.
Pheniani ka bërë këto javët e fundit një sërë deklaratash të ashpra dhe i ka vendosur Uashingtonit një ultimatum për fundin e vitin 2019, duke i premtuar, në mungesë të progresit në diskutimet e tyre, një dhuratë për Krishtlindje./ATSH/























