Timmermans shkruan një “letër dashurie” për Britaninë e Madhe!
Britania e Madhe do të jetë gjithmonë e mirëpritur në Bashkimin Evropian, shkruan zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans në një letër të publikuar sot, më shumë se një muaj nga Brexit, parashikuar më 31 janar.
“Të them të vërtetën, kjo më ka plagosur thellësisht kur t’i vendose të largohesh”, shkruan Timmermans, në letrën e publikuar në faqen e internetit të “Guardian”, e përditshme britanike eurofile.
Dhe më shumë se tre vjet pasi 52% e britanikëve votuan për “largimin”, zëvendëspresidenti i Komisionit Europian vazhdon të jetë i trishtuar që një prej anëtarëve të familjes tonë të vjetër dëshiron të ndërpresë lidhjet tona pas 47 vitesh të një jete të trazuar bashkë.
“Por në të njëjtën kohë, të mendosh që lidhjet familjare nuk mund të shkëputen kurrë, është ngushëlluese. Ne nuk ndahemi dhe ti do të jesh gjithmonë e mirëpritur, “shkruan Frans Timmermans.
Gjatë gjithë letrës së tij, ai rikujton lindjen e ndjenjave të para, jo në tokën britanike, por në Romë, në Shkollën Ndërkombëtare të Shën Gjergjit, ku i riu Frans Timmermans mësonte ende anglisht.
“Kanë kaluar mbi 40 vjet. Unë të njoh tani. Dhe të dua. Për atë çfarë je dhe për atë çfarë më ke dhënë. Unë jam si një i dashur i vjetër. I njoh pikat e tua të forta dhe dobësitë e tua. Unë e di që mund të jesh bujar, por i guximshëm gjithashtu. Unë e di që ti mendon të jesh unik dhe i ndryshëm”, shkruan ai.
“Ti kurrë nuk do të ndalesh të na cilësosh si “kontinent”. Kjo të ndihmon të krijosh distancën që mendon se ke nevojë. Por, kjo të pengon gjithashtu të shohësh që ne kemi të gjithë nevojë për pak distancë mes nesh. Kombet europiane janë unike. Dallimet tona janë një burim admirimi, befasie, parehatie, keqkuptimi, talljeje, karikature dhe, po, dashurie”, shton ai.
Pas ndarjes, parashikuar në fund të janarit pas tre shtyrjesh, do të nisë një periudhë tranzicioni që do të mundësojë vendosjen e një marrëdhënieje të ardhshme mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian.























