Kinë, miratohet projekti i rishikuar i "Ligjit të letrave me vlerë"
BKT
   Bota

Kinë, miratohet projekti i rishikuar i "Ligjit të letrave me vlerë"

Organi më i lartë ligjvënës në Kinë ka miratuar një projekt të rishikuar të "Ligjit të letrave me vlerë", për të luftuar veprimtaritë e paligjshme tregtare dhe për të mbrojtur më mirë investitorët.

Masa konsiderohet si një moment historik në reformën e tregut të kapitaleve në Kinë.

Ligji i rishikuar i letrave me vlerë përshkruan detajet e rregullimit të emetimit dhe tregtimit e letrave me vlerë, blerjen e ndërmarrjeve të regjistruara në bursë, zbulimin e informacionit dhe mbrojtjen e investitorëve.

Ai gjithashtu thekson rregullat për Bordin e Inovacionit të Shkencës dhe Teknologjisë së sapokrijuar, duke eksperimentuar një sistem pilot të ofertës publike fillestare të bazuar te regjistrimi.

Sipas sistemit të tanishëm të ofertës publike fillestare (IPO), aksionet e reja duhen miratuar nga Komisioni Rregullator i Letrave me Vlerë i Kinës para se të regjistrohen.

Ligji i rishikuar e ka ndryshuar kërkesën e emetimit të aksioneve të reja nga "të afta për fitime të vazhdueshme" në "të afta për funksionim të vazhdueshëm".

Ai gjithashtu i autorizon bursat të rishikojnë aplikimet për oferta publike dhe ka kërkesa më të rrepta për zbulimin e informacionit.

Tjetër rishikim i rëndësishëm është forcimi i mbrojtjes së investitorëve, veçanërisht i investitorëve të vegjël e individualë, përcjell oranews.

Rishikimi inkurajon investitorët individualë të ndërmarrin nismën për të ngritur të ashtuquajturat padi veprimi në grup dhe fut kompensimin në çështjet civile.

Ligji i ri gjithashtu rrit gjobat për veprimtaritë e paligjshme në sektorin e letrave me vlerë.

Ai përcakton jo vetëm konfiskimin e të ardhurave të paligjshme, por edhe dënime më të rrepta administrative.