Bota feston ardhjen e dekadës së re
BKT
   Bota

Bota feston ardhjen e dekadës së re

​Miliona vetë në të gjithë botën mirëpritën Vitin e Ri, 2020, që shënon edhe nisjen e një dekade të re. Atmosfera e festës së ndërrimit të viteve përfshiu qytetet më të mëdha në Azi, Evropë, Afrikë dhe Amerikë e veriut ndërsa ora shënoi 12 e natës.

Festime madhështore pati në Singapor, Malajzi, Indi e Pakistan, si dhe në dy Koretë. Pas një ditë të lodhshme me protesta, edhe qytetarët e Hong Kongut gjetën kohë të festonin.

Spektakli i fishekzjarrëve vazhdoi më pas në Lindjen e Mesme, me Dubain si epiqendër, ndërsa Stambolli e Athina gjithashtu u ndriçuan prej tyre.

Qytetarët në Paris e pritën e vitin e ri pranë Harkut te Triumfit dhe kullës Ejfel, miliona turistë kishin zgjedhur kryeqytetin francez për të pritur vitin e ri.

Në Berlin, qindra mijëra gjermanë ndoqën festimet në Portat e Brandenburgut, ndërsa Londra magjepsi me ngjyrat e fishekzjarreve dhe një spektakël që kujtonte rolin kryesor të qytetit në Kampionatin Evropian të Futbollit që zhvillohet këtë vit.

Në Nju Jork mijëra vetë e pritën vitin e ri 2020 në sheshin Times Square, përcjell Rtsh.

Kryebashkiaku i këtij qyteti Bill De Biasio kishte organizuar këtë vit një koncert me artistët më të suksesshëm. Në orën 12 të natës, nisi edhe spektakli i fishekzjarrëve.