Sistemi shëndetësor vazhdon të përballet me probleme të shumta
BKT
Shëndetësi

Sistemi shëndetësor vazhdon të përballet me probleme të shumta

Sistemi shëndetësor në Kosovë po vazhdon të përballet me probleme të shumta, ku pacientët po vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave, aparaturave dhe mungesë të shërbimeve në spitalet e vendit.

Mungesa e sigurimeve shëndetësore po vazhdon të jetë problemi më i madh sepse vetëm me sigurime shëndetësore gjendja në shëndetësi do të fillojë të përmirësohet.

Përkundër që në QKUK dhe në disa spitale të përgjithshme në vend, janë bërë renovime dhe investime në aparatura, theksohet se duhet të bëhet edhe më shumë punë që pacientët të marrin shërbime më cilësore.

Kryetari i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra, thotë për KosovaPress, se pacientët në vend vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave, shërbime apo aparaturave.

Ai thotë se pacientët po përballen me lista të gjatë të pritjes për trajtim, derisa thekson se pa ndryshim të formës së financimit të shëndetësisë nuk presin që gjërat të ndryshojnë.

Përkundër investimeve që janë bërë në disa klinika të QKUK-së, ku përveç renovimeve të hapësirave është bërë edhe investimi në aparaturë, Kodra thotë se ende mbetet larg standardit të dëshirueshëm.

Se pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe materialit shpenzues e thotë për KosovaPress edhe kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, i cili megjithatë thotë se kjo gjendje ka filluar të përmirësohet.

Syla që përfaqëson punëtorët shëndetësor, vitin 2019 e quan si zhgënjim sa i përket mirëqenies sociale të punëtorëve shëndetësor. Ai thotë se pezullimi i ligjit për paga është lajmi më i keq që kanë marrë, pasi sipas tij me këtë ligj punëtorët shëndetësor do të kishin paga dinjitoze.

Problem tjetër, Syla e sheh mungesën e infrastrukturës ligjore, ku përmend se kanë synuar të bëjnë plotësim ndryshimin e ligjit të shëndetësisë dhe ligjin mbi sigurimet shëndetësore, por që nuk kanë arritur.

Kurse, sa i përket investimeve që janë bërë në disa klinika të QKUK-së, Syla thotë se punëtorëve shëndetësor u është mundësuar të ofrojnë shërbime më cilësore, por që sipas tij, pacientët janë përfituesit më të mëdhenj.

Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Basri Sejdiu, thotë se viti 2019 për këtë institucion dhe sistemin shëndetësor në vend ka qenë vit i suksesit, ku thotë se janë bërë investime të shumta në shumë klinika me qëllimin e vetëm për të ofruar shërbime sa më cilësore për pacientët.

Ai thotë se gjatë vitit që e kemi lënë pas kanë realizuar dy projekte të rëndësishme, siç është trajtimi i infarktit akut në dy orët e para dhe strock center apo trajtimi i infarktit në tru.

Sejdiu thotë se të gjitha investimet që kanë bërë kanë ndikuar që qytetarëve t’u kthehet besimi në shëndetësinë kosovare dhe tek mjekët vendor.

Kreu i ShSKUK-së thotë se gjatë vitit 2019, nuk ka ndodhur asnjëherë të përballen me mungesë të barnave të listës esenciale, e në këtë sipas tij, ka ndikuar digjitalizimi i shërbimit farmaceutik.

Ai thotë se gjatë vitit që e kemi lënë pas kanë investuar edhe në spitalet e përgjithshme rajonale, me qëllimin e vetëm që qytetarëve t’u ofrohen shërbime më cilësore, derisa për vitin 2020, ka premtuar se do të vazhdojnë t’i avancojnë të gjitha shërbimet, të përfundojnë projektet të cilat veç kanë filluar dhe ngritjen e shërbimeve të reja.


MË SHUME NGA Shëndetësi