Kryeministri i Japonisë bën thirrje për diplomaci në Lindje të Mesme
BKT
   Bota

Kryeministri i Japonisë bën thirrje për diplomaci në Lindje të Mesme

Abe kërkon nga palët të shmangin çdo përshkallëzim në rajon dhe të bëjnë përpjekje diplomatike për të zgjidhur problemet.

Në vazhdën e vrasjes amerikane të gjeneralit të lartë iranian, Kryeministri japonez, Shinzo Abe, u bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt të zgjidhin problemet e tyre me mjete diplomatike, njoftuan mediat shtetërore.

Abe në një konferencë për shtyp tha se është "thellësisht i shqetësuar" për situatën në Lindjen e Mesme pas vrasjes së Qasem Soleimanit, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve Kyodo.

Presidenti japonez gjithashtu u bëri thirrje palëve të shmangin çdo përshkallëzim në rajon dhe theksoi rëndësinë e diplomacisë për zgjidhjen e problemeve në rajon.

Duke ritheksuar se Japonia po planifikon të dërgojë forca në Gjirin e Adenit, siç u njoftua para vrasjes së Soleimanit, Abe tha se kjo do të ndihmojë në sigurimin e "navigimit të sigurt të anijeve tregtare", sigurimin e rrugëve të tregtisë detare dhe uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Kyodo raportoi në fund të muajit të kaluar se forcat detare po dërgoheshin "për aktivitete të mbledhjes së informacioneve për të ndihmuar në sigurimin e një linje kryesore të transportit të naftës".

Soleimani, kreu i Forcave Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, u vra të premten e kaluar në një sulm me dron amerikan së bashku me Abu Mahdi al-Muhandis, komandantin e lartë të forcave Hashd al-Shaabi të Irakut dhe tetë të tjerë./aa/