Von der Leyen: Zbutja e tensioneve në interes të Iranit dhe Irakut
BKT
   Bota

Von der Leyen: Zbutja e tensioneve në interes të Iranit dhe Irakut

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha sot se zbutja e tensioneve mes Teheranit dhe Uashingtoni, pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani, është në interes të Iranit dhe Irakut.

“Është në interes të Iranit dhe veçanërisht të Irakut, që të zgjedhin rrugën e maturisë dhe jo të përshkallëzimit”, deklaroi Von der Leyen në një takimi të konservatorëve bavarezë të CSU në Seeon.

Ajo konfirmoi, gjithashtu, edhe mbajtjen e një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm evropianë të premten, ndërkohë që BE kërkon të zbusë tensionet pas vdekjes së Qassem Soleimani-t, i vrarë gjatë një sulm amerikan në Bagdad.

Edhe kreu i diplomacisë gjermane, Heiko Maas theksoi sot se kërcënimet e presidentit amerikan, Donald Trump për të sanksionuar Irakun nuk janë një ndihmë e madhe.

“Nuk mendoj se mund të bindet Iraku me kërcënime, por më shumë me argumente”, nënvizoi Maas për radion publike “Deutschlandfunk”.