​NATO tërheq përkohësisht trupat nga Iraku
BKT
   Bota

​NATO tërheq përkohësisht trupat nga Iraku

NATO tërhoqi përkohësisht disa prej trupave të saj nga Iraku dhe lëvizi disa të tjera brenda vendit, deklaroi një zëdhënës i aleancës ushtarake.

“Për të mbrojtur sigurinë e trupave të saj, NATO do të marrë masa, duke përfshirë ripozicionimin e përkohshëm të personelit në vende të ndryshme brenda dhe jashtë Irakut”, theksoi një zyrtar i NATO-s.

“NATO ka trupa ushtarake në Irak dhe ne jemi të përgatitur të vazhdojmë stërvitjen dhe ndërtimin e kapaciteteve tona kur ta lejojë situata”, shtoi ai.

NATO ka pezulluar operacionet stërvitore në terren pas tensioneve të krijuara nga vrasja e komandantit të lartë ushtarak iranian nga SHBA.

Gjermania do të tërheqë gjithashtu disa prej trupave të saj të vendosura në Irak si pjesë e koalicionit anti ISIS, deklaroi Ministria gjermane e Mbrojtjes (Bundeswehr), pas vrasjes nga SHBA të komandantit iranian të Forcave Kuds, Qassim Soleiman.

”Të 30 ushtarët e vendosur në Bagdad dhe Taji do të transferohen në Jordani dhe Kuvajt”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes duke shtuar se tërheqja “do të jetë e menjëhershme”.

Pas atentatit ndaj Soleimanit janë rritur tensionet në Iran.

OKB ka bërë thirrje shteteve të mos përshkallëzojnë situatën, që paraqitet e rëndë./atsh/