Libi, forcat e gjeneralit rebel Haftar sulm në Tripoli
BKT
   Bota

Libi, forcat e gjeneralit rebel Haftar sulm në Tripoli

Sulmi i forcave të Haftarit erdhi pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin bënë thirrje për armëpushim në Libi.

Forcat e gjeneralit puçist Khalifa Haftar me bazë në lindje të Libisë kanë sulmuar me artileri dhe predha zonën Souq al-Juma në afërsi të Aeroprtit Mitiga në kryeqytetin Tripoli, raporton Anadolu Agency.

Dje nga orët e mbrëmjes në kryeqytet janë dëgjuar shumë shpërthime të fuqishme, ndërkohë që dëshmitarët okularë njoftuan se bëhet fjalë për sulme me predha dhe artileri në zonën Souq al-Juma.

Ende nuk është njoftuar nëse sulmi ka shkaktuar viktima.

Thirrja për armëpushim u përshëndet edhe nga Këshilli i Lartë Shtetëror i Libisë dhe Këshilli Presidencial i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) e cila gëzon njohjen ndërkombëtare.

Që nga rrëzimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe EBA, me të cilën është i lidhur edhe gjenerali puçist Khalifa Haftar, dhe GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare dhe atë të OKB-së.

Më 4 prill, forcat e Haftarit filluan një fushatë ushtarake për të kapur Tripolin, me çka GNA nisi një kundër-operacion.

Ndërkaq, më 12 dhjetor, Haftar dha një tjetër urdhër për sulm ndaj Tripolit, duke e quajtur fushatën e re si "Lufta Vendimtare", ndërsa si masë kundër këtij urdhri, në dhjetë qytete perëndimore të vendit u shpall mobilizim.