Esper: Irani kishte për qëllim të vrasë ushtarë amerikanë
"Në bazë të asaj që kam parë, ishte një sulm me qëllim të shkaktimit të dëmeve strukturore dhe humbjes së personelit", tha sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Mark Esper tha se Irani nga tre lokacione brenda vendit i ka lëshuar raketat balistike ndaj dy bazave irakiane ku janë vendosur ushtarë amerikanë, duke shtuar se nuk pati viktima për shkak të sistemeve të paralajmërimit të hershëm të ushtrisë, raporton Anadolu Agency.
Sekretari Esper mbajti një konferencë për media në Pentagon pas takimit me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Mark Milley, si dhe me anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
"Irani lëshoi 16 raketa me rreze të shkurtër nga tre rajone të ndryshme ndaj dy bazave ku janë të vendosur ushtarët amerikanë dhe të koalicionit. 11 raketa goditën bazën Ain al-Asad dhe një goditi bazën në Erbil. Disa depo, parkingu dhe një helikopter u dëmtuan në bazën al-Asad", tha Esper, duke shtuar se 4 nga raketat nuk funksionuan dhe nuk arritën të qëllonin objektivat e tyre.
Esper nuk iu përgjigj pyetjeve nëse SHBA dhe Iraku ishin të informuar para sulmit, por tha se sulmet nuk ishin të shtëna të rastësishme.
"Në bazë të asaj që kam parë, ishte një sulm me qëllim të shkaktimit të dëmeve strukturore dhe humbjes së personelit", tha ai.
Sulmet u kryen nga Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC).
Irani tha se sulmet janë përgjigje për vrasjen e kreut të forcës elitare Kuds të IRGC-së, Qassem Soleimani, i cili u vra në një sulm ajror amerikan në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Bagdadit.
Sulmi pasoi pas një seri armiqësish midis SHBA-ve dhe forcave të mbështetura nga Irani, që filluan në fund të muajit të kaluar me vrasjen e një kontraktori amerikan në një bazë amerikane në Irak.
SHBA u kundërpërgjigj me sulme ajrore ndaj milicisë së mbështetur nga Irani, për të cilën thotë se është përgjegjëse për kryerjen e sulmit, duke vrarë dhjetëra anëtarë të milicisë.
Më pas, të martën e javës së kaluar, ambasada amerikane në Bagdad u sulmua nga një grup i militantëve dhe demonstruesve të zemëruar.
Zyrtarët amerikanë për sulmet në ambasadën dhe bazën amerikane kanë fajësuar Soleimanin, duke pretenduar se nëse nuk ishte kryer sulmi ajror në të cilin u vra ai, do të kishin humbur jetën qindra amerikanë të tjerë.























