BE: Irani të jetë transparent për rrëzimin e avionit ukrainas
Evropianët i kërkuan sot Teheranit transparencë për rrëzimin e Boeing-ut ukrainas në Iran, gjatë një takimi në kuadër të qetësimit të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe në Libi.
Disa vende perëndimore, veçanërisht Kanadaja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, theksojnë se katastrofa, që shkaktoi 176 të vdekur, pa dyshim është shkaktuar nga një raketë iraniane e lëshuar gabimisht, gjë që Teherani e përgënjeshtron.
“Është më shumë se tragjedi, Tashmë është e rëndësishme që kjo të bëhet objekt i një hetimi të plotë”, deklaroi kreu i diplomacisë gjermane, Heiko Maas gjatë takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të Punëve të Jashtme të 28 vendeve të BE-së.
Homologu i tij holandez, Stef Blok mbështeti fjalën e tij duke theksuar se ishte e mundshme që avioni të ishte rrëzuar nga një raketë iraniane.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e bashkoi qëndrimin e tij me thirrjet për transparencë duke theksuar se nuk kishte asnjë arsye të mos besonte pistën për raketën, përmendur nga disa vende anëtare të Aleancës.
Takimi i ministrave evropianë u bë pas disa ditëve të aktivitetit intensiv diplomatik pas eliminimit nga Uashingtoni i gjeneralit iranian, Qassem Soleimani, më 3 janar në Bagdad.























