Shqetëson abuzimi me substanca narkotike tek të rinjtë
Sharr Travel

Shqetëson abuzimi me substanca narkotike tek të rinjtë

Abuzimi me substanca narkotike, aktualisht pothuajse është shndërruar në fenomen përditshmërie në Kosovë. Nuk kalon ditë pa u raportuar për arrestime të personave që kapen me lloje të ndryshme të drogave. Por shqetësues mbetet fakti se shumica e tyre janë të rinj, e në mesin e tyre, gjithnjë e më shumë, ka edhe të mitur.

Shqetësues është fakti se aktualisht, grupmosha që e fillon përdorimin e drogave në vendin tonë, është rreth 16 vjeç, kurse viteve më herët, ishte 21 vjeç. Kështu i tha Radio Kosovës  Hilmi Jashari, Avokat i Popullit, për të shtuar se “çështjen e përdorimit të drogave dhe shtimin e numrit të viktimave nga përdorimi i tyre, e ka ngritur edhe në Kuvendin e Kosovës, por për shkak të zgjedhjeve dhe mos konstituimit të institucioneve, çështja e drogave ende nuk është trajtuar në Kuvendin e Kosovës.

“Fenomenin e drogave te të rinjtë dhe ndikimin që ka kjo në Kosovë .Gjatë procesit të hetimeve kemi grumbulluar informata se gjatë dy viteve grupmosha e përdoruesve të drogës ka rënë nga 22 në 16 vjeç. Kjo ka merituar vëmendjen e përfaqësuesve të popullit”, tha Jashari.

Ndërkaq Safet Blakaj, nga Organizata “Labirint:, thotë se ka rënë përdorimi i llojit heroinë por është rritur përdorimi i drogave të tjera, kokainës dhe marihuanës, e sidomos te femrat. Blakaj thotë se institucionet e vendit duhet të nisin sa më shpejt programe parandaluese dhe trajtuese.

“Ne me çdo kusht po mundohemi t’i nxisim institucionet që të nisin programet parandaluese dhe trajtuese  gjithëpërfshirëse në Kosovë”, tha Blakaj.

Ndryshe, Policia e Kosovës gjatë vitit 2019 arrestoi mbi 1 mijë persona, nga të cilët mbi 900 përdorues droge dhe ushtroi mbi 1 mijë kallëzime penale ndaj 1 mijë e 489 personave. Ndërkaq, me numrin më të madh të rasteve, prin rajoni i Prishtinës. Në periudhën janar –nëntor 2019, ka trajtuar mbi 300 raste. Në sasi të konfiskimeve prin Sektori Qendror, ku gjatë periudhës janar – nëntor, janë konfiskuar gjithsej 135 kg marihuanë, mbi 4 kg heroinë, amfetaminë rreth 600 gramë, përzierës droge afro 700 gr, ndërsa është zbuluar edhe një laborator ku është bërë kultivimi dhe përpunimi i bimës narkotike kanabis sativa, ndërsa janë konfiskuar 149 rrënjë, si dhe ekstazi mbi 110 gramë. 

 

Autor: Mejreme Tahirukaj


MË SHUME NGA Shëndetësi