Filipine, mbi 30 mijë të prekur nga vullkani Taal
BKT
   Bota

Filipine, mbi 30 mijë të prekur nga vullkani Taal

Autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në provincën Bantangas.

Vullkani Taal në Filipine ka prekur mbi 30 mijë njerëz ndërsa autoritetet shpallën gjendje të jashtëzakonshme në provincën Batangas.

Siç ka njoftuar agjencia shtetërore e lajmeve në Filipine PNA, gjithsej 6.891 familje apo 30.423 persona deri më tani janë prekur nga shpërthimi i vullkanit Taal.

Autoritetet lokale kanë krijuar 118 qendra të evakuimit ku deri më tani janë vendosur 18.187 persona.

Sipas Këshillit Kombëtar të menaxhimit dhe uljes së rrezikut nga katastrofat, personat e prekur kanë mbërritur nga 22 qytete të provincës Batangas.

Në raportimin e PNA-së thuhet se këshilli akoma nuk ka publikuar ndonjë shifër në lidhje me viktimat apo dëmet e shkaktuara.

Në rajonin e Taal u regjistruan gjithsej 286 tërmete vullkanike, duke filluar nga magnituda 1,2 deri në 4,1.

Ndërkohë, autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në provincën e prekur Batangas ndërsa banorët janë ende duke ikur nga rajoni.

Nën gjendjen e jashtëzakonshme, qeveria provinciale mund të përdorë mbi 1 milion dollarë fonde emergjente për të ndihmuar njerëzit e prekur.