BE përgatitet për një valë të mundshme migrimi nga Libia
"Objektivi ynë është që të paraqesim një perspektivë më gjithëpërfshirëse e cila zgjidh të gjitha problemet në çështjen e migrimit", deklaroi Spinant.
Përpjekjet e liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, për të prishur armëpushimin në vend kanë shkaktuar shqetësime për një valë të re migrimi në Evropë.
Gazetari i AA-së i ka bërë pyetje zëdhënëses së Komisionit Evropian, Dana Spinant, lidhur me një valë të mundshme migrimi nga Libia në Evropë.
I pyetur nga gazetari i AA-së se "Haftar u largua nga Moska pa nënshkruar marrëveshjen e armëpushimit dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve me qendër në Tobruk, aleati i Haftar, Aguila Saleh, ka deklaruar se sulmet do të vazhdojnë... konfliktet rrezikojnë çdo ditë e më shumë jetën e shumë civilëve dhe rrit rrezikun për një migrim drejt Evropës. A do të marrë Evropa masa të reja kundër një vale të re të mundshme migrimi nga Libia?", zëdhënësja Spinant është përgjigjur se për Brukselin është parësore që të jetë i përgatitur ndaj rezultateve të mundshme në vend që të reagojë pas ndodhjes së një migrimi të mundshëm.
Ajo tha se ky mendim përbën edhe themelin e "marrëveshjes së re të migrimit" mbi të cilën BE-ja po punon aktualisht dhe të cilën e ka planifikuar ta vendosë mbi tryezë së shpejti.
"Objektivi ynë është që të paraqesim një perspektivë më gjithëpërfshirëse e cila zgjidh të gjitha problemet në çështjen e migrimit", deklaroi Spinant.
Delegacionet turke dhe ruse më 13 janar në Moskë zhvilluan bisedime me palët libiane. Delegacioni turk, shoqëroi Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (GNA), ndërsa delegacioni rus u përpoq të bindë Khalifa Haftarin dhe kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve me qendër në Tobruk, Aguila Saleh.
Por, Haftari u largua nga Moska pa nënshkruar tekstin e marrëveshjes së formuluar pas përpjekjeve të gjata.























