Parlamenti Evropian nis procedurën për heqjen e imunitetit të Puigdemont
BKT
   Bota

Parlamenti Evropian nis procedurën për heqjen e imunitetit të Puigdemont

Parlamenti Evropian nisi procedurën mbi kërkesën për heqjen e imunitetit të indipendentistit katalanas Carles Puigdemont, e adresuar nga drejtësia spanjolle, njoftoi sot njëra nga zëvendëspresidentet e institucionit.

“Autoritetet spanjolle i janë drejtuar Presidentit të Parlamentit Evropian, për të kërkuar heqjen e imunitetit të Carles Puigdemont dhe Toni Comin, në mënyrë që të jenë në gjendje të ndjekin procedurat ligjore kundër këtyre dy eurodeputetëve. Në përputhje me rregullat, kjo kërkesë i paraqitet Komisionit për Çështjet Juridike”, tha Ewa Bożena Kopacz, në sallën e Parlamentit.

Për shkak të një urdhërarresti të lëshuar nga Spanja për kryengritje dhe përvetësim, Carles Puigdemont u strehua në Belgjikë për t’i shpëtuar drejtësisë spanjolle, pas përpjekjes së Katalonjës për shkëputje në vitin 2017./atsh/