Irani thotë se vazhdon të jetë pjesë e marrëveshjes bërthamore
Irani vazhdon të jetë pjesë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, pavarësisht se është tërhequr nga angazhimet që i kërkon ajo, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Musavi.
"Teherani mbetet në marrëveshje. Pretendimet e fuqive evropiane se Irani shkel marrëveshjen, janë të pabazuara", tha Musavi në një konferencë për media, të hënën në Teheran.
Më herët, Irani ka thënë se nuk e konsideron më veten të obliguar nga marrëveshja.
Kjo marrëveshje është arritur midis Republikës Islamike dhe fuqive botërore, por Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga ajo në maj të vitit 2018 dhe kanë rikthyer sanksione të ashpra ekonomike kundër Iranit.
Që atëherë, Teherani ka ndërprerë gradualisht angazhimet e tij me marrëveshje.
Nënshkrueset evropiane të marrëveshjes, Gjermania, Britania dhe Franca, kanë njoftuar ditë më parë se kanë aktivizuar mekanizmin e mosmarrëveshjes brenda marrëveshjes, gjë që mund të çojë edhe në sanksione të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit.
Fuqitë evropiane aktivizojnë mekanizmin e mosmarrëveshjes me Iranin
Nënshkruese të marrëveshjes janë edhe Kina dhe Rusia.
Me këtë dokument, Irani është dakorduar që të kufizojë aktivitetin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
"Nëse Irani do të zvogëlojë më tej angazhimet e tij bërthamore, do të varet nga palët e tjera", tha Musavi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja, duke argumentuar se kushtet e saj nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpra sa për ta parandaluar Teheranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.























