Trump niset për në Davos para fillimit të gjykimit të tij për shkarkim
BKT
   Bota

Trump niset për në Davos para fillimit të gjykimit të tij për shkarkim

Pritet që Trump të mbajë një fjalim në hapjen e sesionit në ditën e parë në Davos si dhe të bëjë vlerësime gjithëpërfshirëse lidhur me marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike të SHBA-së me vendet pjesëmarrëse në samit.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është nisur për në Zvicër ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, një ditë para fillimit të gjykimit për shkarkimin e tij në Senat.

Trump nuk do të jetë në Washington dy ditët e para të seancave të gjykimit në Senat.

Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Trump në Davos do të zhvillojë takime dypalëshe me presidentin irakian, Barham Salih, kryeministrin e Pakistanit, Imran Khan, kreun e Qeverisë Rajonale Kurde (KRG) të Irakut, Nechirvan Barzani, presidenten e Konfederatës Zvicerane, Simonetta Sommaruga, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe themeluesin e Forumit Ekonomik Botëror, Klaus Schwab.

Pritet që Trump të mbajë një fjalim në hapjen e sesionit në ditën e parë në Davos si dhe të bëjë vlerësime gjithëpërfshirëse lidhur me marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike të SHBA-së me vendet pjesëmarrëse në samit.

Ndërkohë tërheq vëmendjen se Trump do të takohet edhe me presidentin irakian i cili pas tensioneve ushtarake me Iranin ka kërkuar largimin e ushtarëve amerikanë nga vendi.

Burimet e Shtëpisë së Bardhë njoftuan se Trump gjatë periudhës që do të qëndrojë në Davos do të jetë vazhdimisht në kontakt me ekipin e mbrojtjes në Senat dhe se do të ndjekë nga afër zhvillimet.