Miratohet plani i procedimit të Trump
Senati Amerikan i ka dhënë dritën jeshile procedimit penal të presidentit Donald Trump. Secila palë do të ketë tri ditë kohë për të dhënë argumentet pro dhe kundër shkarkimit të kryetarit të shtetit. Republikanët po bëhen gati që i gjithë procesi të mbyllet brenda dy javëve pa pasoja për presidentin.
Pas gati 13 orëve debate deri pas mesnate, Senati Amerikan ka miratuar rregullat se si do të zhvillohet procesi penal kundër presidentit Donald Trump.
Rezoluta e kryetarit të republikanëve, Mitch McConnell, kaloi me 53 vota pro dhe 47 kundër.
Në bazë të saj, kundërshtarët e presidentit do të kenë 24 orë kohë përgjatë tri ditëve të ardhshme për të dhënë argumentet pse kreu i shtetit duhet shkarkuar nga detyra për dy akuzat e abuzimit me pushtetin dhe për pengimin e procesit në Kongres.
Senati nuk i mori parasysh 11 amendamentet e demokratëve për të mbledhur prova të reja.
"Ky është një moment i rrezikshëm sepse ne realisht po përpiqemi të kemi një proces të vërtetë penal. Është presidenti ai që po e shpejton, dhe që nuk po lejon hetimin e akuzave të rënda ndaj tij," deklaroi demokrati Adam Shif, i cili kryeson trupën opozitare në procesin kundër presidentit.
Avokati i kreut të shtetit, Pet Çipoloni, i quajti akuzat e demokratëve qesharake dhe të rrezikshme.
"Kur i sheh akuzat për procedimin e presidentit, nuk janë vetëm qesharake por edhe të rrezikshme për republikën tonë. Po tentohet të zhbëhet një proces elektoral dhe të vidhet tjetri. Duan ta heqin Donald Trump-in që ai të mos kandidojë këtë vit, dhe kështu po sulmojnë një nga të drejtat më të shenjta të ne amerikane si kurrë më parë, të drejtën për të zgjedhur presidentin tonë," deklaroi avokati i Shtëpisë së Bardhë.
Vetë presidenti Trump ndodhej në punimet e samitit të Davosit në Zvicër ndërsa zhvillohej seanca, përcjell Ora News.
"E gjithë gjëja është e kurdisur. Nuk ka për të shkuar gjëkundi sepse nuk ka ndodhur asgjë. Gjëja e vetme që kemi bërë është puna e shkëlqyer për vendin tonë," deklaroi Trump.
Shpërfaqja e argumenteve pro dhe kundër shkarkimit të presidentit do rifillojë gjatë ditës.























