Franca shpalos projektligjin për pensionet, protestat vazhdojnë
Në Francë, sindikatat e vijës së ashpër janë zotuar të vazhdojnë grevat paralizuese kundër reformave të pensionit, pavarësisht një projektligji të paraqitur javën e shkuar nga qeveria e Presidentit Emmanuel Macron. Por protestave ka filluar t’u bjerë intensiteti.
Një ditë tjetër protestash të premten në mbarë vendin mblodhi mijëra njerëz, përfshi edhe në rrugët e Parisit. Protestuesi Akli Kalbi punon në një supermarket.
“Është e rëndësishme vazhdimi i grevës sepse jemi punonjës të varfër. Me këtë reformë do të jemi edhe më të varfër kur të dalim në pension.”
Zemërimi për ndryshime në një prej sistemeve më bujare të pensioneve në Evropë ka çuar në grevën më të gjatë të transportit në historinë e Francës. Protesta ka bashkuar punonjës të të gjitha profesioneve. Shirley Coquaire punon në Operan e Parisit.
“Jam operatore makinerive të rënda. Tani mund të dalim në pension në moshën 57 vjeçare. Por me reformën do të duhen më shumë vite.”
Por numri i protestuesve ka rënë kohët e fundit. Sindikata më të moderuara po zhvillojnë bisedime me qeverinë.
Qeveria e Presidentit Macron dëshiron të bashkojë në një sistem të vetëm të bazuar në pikë, skemat e ndryshme të pensioneve. Ai thotë se plani i tij do të jetë më i drejtë dhe do t’i shërbejë më mirë një popullsie më të vetër dhe me
jetëgjatësi më të madhe që po shteron burimet aktuale. Kritikët thonë se qeveria bëri një punë të dobët lidhur me reformat. Jean Grosset dejton Dialogun Social në Fondacionin Jean Jaures.
“Nuk iu përgjigj ndryshimeve legjitime nga punonjësit. Duheshin protesta të mëdha që të ndryshonte qendrimin.”
Qeveria është tërhequr disi, duke hequr dorë nga plani i ndryshimit të moshës së pensionit nga 62 në 64. Analistë të tjerë besojnë se ajo ka qënë kryesisht e sukseshme në arritjen e synimeve të saj. Anketat tregojnë se po bie mbështetja publike për protestat. Diane Le Tourneur është banore e Parisit.
“Protestat duhet të ndalojnë. Njerëzit duhet ta kuptojnë se reformat janë për të ndihmuar vendin. Të gjithë mendojnë për veten e tyre.”
Sindikalistët e vijë së ashpër thonë se do të vazhdojnë protestat deri në shfuqizimin e projektligjit. Por ekspertët besojnë se do të miratohet gjatë muajve në vazhdim./VoA























