SHBA, Kinës: Ndani më shumë informacione për virusin
Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë po i bëjnë thirrje Kinës të ndajë më shumë informacione se si po përhapet koronavirusi i ri i shfaqur në qytetin Wuhan.
Virusi ka infektuar më shumë se 4500 njerëz në 18 vende, kryesisht në Kinë. Më shumë se 100 kanë vdekur.
Ekspertët kinezë kanë njoftuar se virusi mund të përhapet edhe nga pacientët që nuk shfaqin simptoma. Por zyrtarët amerikanë të shëndetësisë thonë se nuk dëshirojnë të komentojnë rreth një deklarate të tillë.
"CDC (Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve) nuk i është dhënë mundësia t’i shqyrtojë këto të dhëna," tha Drejtori i Qendrës, Robert Redfield në një konferencë shtypi të martën. "Kinezët besojnë se i kanë ato të dhëna. Shpresa jonë është të jemi në gjendje t'i studiojmë ato dhe të jemi më të saktë."
Nëse pacientët e përhapin virusin pa shfaqur simptoma, kjo kërkon procedura të ndryshme ekzaminimi, tha Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, Anthony Fauci.
Dr. Fauci tha se pacientët pa simptoma nuk ka gjasa të kenë shumë ndikim në përhapjen e sëmundjes.
"Në të gjithë historinë e viruseve që prekin frymëmarrjen, të çdo lloji qofshin, transmetimi asimptomatik nuk ka qenë kurrë burimi i shpërthimit të sëmundjeve," tha ai.
Zyrtarët kanë identifikuar pesë raste në Shtetet e Bashkuara dhe deri tani asnjë rast transmetimi të sëmundjes nga njeriu te njeriu. Dr. Redfield tha se rreziku për amerikanët aktualisht është i ulët, por beson se do të ketë edhe raste të tjera./VoA























