Zbulohet tuneli më i gjatë i kontrabandës në kufirin SHBA-Meksikë
Zyrtarët amerikanë thonë se ata kanë zbuluar tunelin më të gjatë të kontrabandës të gjetur ndonjëherë në kufirin me Meksikën.
Tuneli është i gjatë 1,313 metër dhe ka një ashensor, pista hekurudhore, sistem kullimi dhe të ventilimit të ajrit dhe kabllo elektrike me tension të lartë.
Tuneli lidhte një zonë industriale në qytetin meksikan të Tijuanas me një zonë në San Diego të Kalifornisë.
Mirëpo, në këtë tunel nuk u gjet drogë dhe nuk ka ende të dyshuar se kush e ndërtoi këtë, shkruan BBC.
Por karteli Sinaloa i Meksikës, i përshkruar nga qeveria amerikane si një nga organizatat më të mëdha të trafikut të drogës në botë, vepron në këtë zonë. Themeluesi dhe udhëheqësi i saj për një kohë të gjatë, Joaquin “El Chapo” Guzman, është në burg në SHBA.
Tuneli u zbulua në gusht. Zyrtarët meksikanë identifikuan hyrjen e tij dhe hetuesit amerikanë e lokalizuan atë në hartë, përpara se të publikonin gjetjet.


























