Qytetarët të rrezikuar nga gripi sezonal
Gripi sezonal edhe më tej po prek shumë qytetarë në vend, kështu edhe po ua rrezikon jetën atyre. Përveç këtij gripi, qytetarët rrezikohen edhe nga virusi kinez, i cili çdo ditë e më shumë po përhapet në shtetet tjera.
Për shkak të gripit sezonal shumë qytetarë u janë drejtuar institucioneve shëndetësore për t’u trajtuar.
Pediatri Ramush Beiqi ka thënë për gazetën se ka fëmijë të cilët kërkojnë trajtim nga problemet që ua shkakton gripi. Ai ka përmendur edhe disa nga masat, të cilat duhet të merren për t’u mbrojtur nga ai. “Tani kemi një numër të fëmijëve, të cilët vinë me probleme të gripit e me probleme të organeve respiratore. Fëmijët duhet t’i kufizojnë vizitat, sidomos në qendrat kolektive e në çerdhe. Nëse kanë gjendje virale ata duhet të mos shkojnë në vizita në spitale pa asnjë nevojë, atje grumbullohen dhjetëra njerëz. Kështu që t'i reduktojnë e t’i zvogëlojnë kontaktet me njerëz dhe me fëmijë të prekur nga grip”, ka shtuar ai.
Përveç fëmijëve, edhe të rriturit rrezikohen nga gripi sezonal në vend, sidomos të moshuarit dhe personat që kanë sëmundje tjera.
Nga Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është konfirmuar për gazetën se dy persona kanë vdekur nga gripi deri tani. Të dy këta persona thuhet se kanë pasur edhe probleme të tjera shëndetësore paraprakisht.
Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Lindita Ajazaj-Berisha, ka thënë për “Zërin” se ka persona të cilët janë prekur edhe me influencën A dhe atë B, por që janë trajtuar në mënyrë ambulatore. “Nuk ka shumë raste me influencën A, por ka filluar të kemi raste që vinë për vizita ambulantore, kemi edhe katër raste që janë të diagnostikuar me influencën B, grip sezonal. Ata janë trajtuar në mënyrë ambulantore. Tani në kuadër të sezonit të gripit pritet edhe të shtohet numri i rasteve, mirëpo për momentin është gjendja stabile”, ka thënë ajo më tutje.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka rekomanduar të gjithë qytetarët që janë të sëmurë me grip të qëndrojnë në shtëpi, të pushojnë, të marrin lëngje me shumicë, të mbulojnë gojën kur kolliten e t’i evitojnë kontaktet me njerëzit./ Zëri.























