Makron: Polonia, Franca e Gjermania do të udhëheqin Europën pas Brexit
Presidenti francez, Emanuel Makron, i bëri thirrje Polonisë që t’i përforcojë marrëdhëniet me BE-në për t’i dhënë unionit një formë të re, pa Britaninë, sidomos për sa i përket sigurisë në Evropë dhe marrëdhënieve me Rusinë.
Pas bisedimeve të fundit në Varshavë me presidentin polak, Andrzej Duda, Makron bëri gjithashtu thirrje që ripërtërihet bashkëpunimi trepalësh me Gjermaninë. Për këtë ai shprehu nevojën e mbajtjes së një samiti urgjent përpara verës, që do të vazhdojë në vitet pas shkëputjes.
Presidenti francez tha se të tri vendet kanë përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen e Evropës, ndaj duhet ta marrin përsipër këtë rol, sidomos pas largimit të Britanisë javën e shkuar.
Pas një takimi me kryeministrin polak, Mateus Moraviecki, Makron tha se udhëtimi i tij në Poloni kishte qenë “mjaft i veçantë, pak ditë pas Brexit-it, pasi tregon vullnetin që ekziston midis partnerëve strategjikë, fuqive të mëdha të Evropës, për të rikthyer dialogun produktiv e për ta bërë unionin më të fortë, më sovran, më të bashkuar.”
Duda tha se BE-ja me 27 anëtarë duhet të bëhet më e saktë, më tërheqëse, në mënyrë që të tjerët të mos kenë më dëshirë për t’u larguar.
Makron e ka kritikuar disa herë qeverinë e djathtë të Polonisë në lidhje me qëndrimet e tyre kundër pranimit të emigrantëve, për varësinë ekonomike ndaj qymyrit si dhe për përpjekjet e politikës për të kontrolluar sistemin e drejtësisë.
Në vitin 2016, paraardhësi i tij, Fransua Holand, anuloi një vizitë të planifikuar në Poloni pasi vendi refuzoi marrëveshjen për blerjen e helikopterëve francezë.
Presidenti francez tha se do të donte që vizita e tij të ishte “një pikë kthese” në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe një mundësi për të sqaruar çdo mosmarrëveshje.
Franca është pro-Evropës
Marrëdhëniet me Rusinë kanë qenë pikë kryesore e bisedimeve, teksa Polonia kërkon të shtohen sanksionet kundër Moskës, pas aneksimit të Krimesë, ndërsa vetë Franca kërkon dialog.
“Franca nuk është bërë pro-Rusisë, siç dëgjoj të thonë. Franca nuk është as pro, as kundër Rusisë. Franca është pro-Evropës”, tha Makron.
“Nuk është në interesin tonë që të mos përballemi me probleme për sa i përket marrëdhënies me Rusinë, duke lejuar kështu që të mblidhen konfliktet e pazgjidhura e të shtohen mosmarrëveshjet”, tha ai.
Presidenti francez shtoi se dialogu që ai dhe kancelarja Merkel ishin përpjekur të rikthenin me Rusinë, kishte dhënë fryte duke sjellë zhvillime, përfshi këmbimin e të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Të mos jemi naivë. Dialogu na lejon të gjejmë zgjidhje të përbashkëta”, deklaroi Makron.
Ai shprehu shqetësim për ndryshimet që po i bën sistemit gjyqësor partia e djathtë në Poloni, “Ligj dhe Drejtësi”, duke shtuar kontrollin politik. Makron bëri thirrje që të shtohet dialogu me drejtuesit e BE-së në mënyrë që t’i jepet fund konfliktit që ka pasur Polonia me zbatimin e ligjit.
“Presidentit Duda i fola me ndershmërinë që i detyrohemi njëri-tjetrit, si partnerë europianë, në lidhje me shqetësimet që janë ngritur për shkak të reformave të ndryshme me sistemin e drejtësisë”, tha Makron.
“Shpresoj që dialogu me Komisionin Evropian të shtohet në javët në vazhdim, sepse e di që vlerat e lirisë e drejtësisë janë të rrënjosura thellë në historinë e Polonisë”, shtoi ai.
Duda tha se vizita e një presidenti francez në Poloni, për herë të parë pas shumë vitesh, ishte një zhvillim i vlefshëm për Poloninë.
Gjatë bisedimeve me kryeministrin Moraviecki, Makroni shprehu nevojën për të shtuar praninë ushtarake të Evropës në rajonin Sahel të Afrikës, ku trupat e tyre janë duke luftuar xhihadistët. Franca deklaroi këtë të diel se do të dërgonte 600 ushtarë të tjerë, për ta çuar numrin e trupave në 5100.
Makron ofroi gjithashtu ekspertizën franceze për të ndihmuar Poloninë me zhvillimin e përdorimit të energjisë bërthamore, si dhe mbështetje financiare nga Evropa me përpjekjet e shumta që po bën vendi për të hequr përdorimin e qymyrit, i cili vazhdon të jetë burimi kryesor i energjisë në vend.
Delegacioni francez përbëhej nga ministrat e punëve të jashtme, të mbrojtjes, të financës dhe të mjedisit.
Këtë të martë, Makron do të shkojë në qytetin jugor të Krakovit, ku do të vizitojë Kështjellën e Vavelit dhe do të mbajë një fjalim te Universiteti Jagiellonian në lidhje me vlerat europiane dhe bashkëpunimin midis vendeve.
Programi i tij zyrtar përfshin takime me intelektualë polakë dhe francezë të shquar që jetojnë në Poloni.























