Netanyahu: Hartat e aneksimit të Bregut Perëndimor përfundojnë së shpejti
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur sot se Izraeli ka filluar të përgatisë hartat e Bregut Perëndimor, të cilin planifikon ta aneksojë, por ka konfirmuar se aneksimi nuk mund të bëhet pa miratimin e SHBA-së.
Ai tha në fillim të seancës së kabinetit qeveritar se vizita e tij më e fundit në Uashington ishte historike dhe paraqiti një plan amerikan që do të njohë sovranitetin e Izraelit mbi Luginën Jordan, Detin e Vdekur verior dhe të gjitha vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor, pa përjashtim.
“SHBA dhe ne kemi rënë dakord që kur të gjithë procesi të ketë mbaruar, ne ia dërgojmë qeverisë për miratim. Amerikanët e kanë bërë të qartë: Ne duam t’ju njohim dhe t’ua japim juve, kur të gjithë procesi të ketë mbaruar”, shpjegoi lideri izraelit , duke vlerësuar se njohja është gjëja kryesore dhe që Izraeli nuk dëshiron të rrezikojë.
Netanyahu gjithashtu iu referua mbështetësve të deputetëve të kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të okupuar, aleatët e tij duke bërë thirrje që Izraeli të aneksonte zonat menjëherë, duke thënë se ai shpresonte që hartat të përfundonin së shpejti, raportojnë media izraelite.
Ambasadori amerikan në Izrael David Friedman më herët sot paralajmëroi Izraelin kundër aneksimit të njëanshëm të pjesëve të Bregut Perëndimor, por udhëheqësi i banorëve hebre David Elhajani i kërkoi qeverisë izraelite të respektonte premtimin e mëparshëm të kryeministrit për ta bërë këtë menjëherë para zgjedhjeve parlamentare të Izraelit më 2 mars.
Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor me Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës në luftën e vitit 1967. Palestinezët dëshirojnë të krijojnë shtetin e tyre të pavarur në këto territore. Janë më shumë se 700.000 hebrenj që jetojnë sot në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
























