Turqia dërgon përforcime shtesë në Idlib
BKT
   Bota

Turqia dërgon përforcime shtesë në Idlib

Turqia ka dërguar përforcime të reja në verilindje të Sirisë, teksa rëndohet bilanci tragjik i forcave ushtarake të vrara në vend.

Pas sulmit sirian që la të vrarë 8 ushtarë turq, mbi 1 mijë makina luftarake dhe 5 mijë trupa shtesë janë pozicionuar në Idlib prej javës së kaluar.

Të paktën 5 pjesëtarë të forcave turke gjetën sërish vdekjen të hënën pas ndeshjes me një sulm me artileri të rëndë në një pike kontrolli në aeroportin e qytetit.

Beteja, brenda një kohe të shkurtër, ka detyruar eksodin e rreth 700 mijë banorëve afër Turqisë.

"Pa dyshim shpresojmë që ushtria turke e mbërritur në zonat rurale të Idlibit jo vetëm që do ta ndalë regjimin sirian, por edhe do të kthejë numrin e madh të njerëzve në kufi që të rimarrin tokat e grabitura nga regjimi," shprehet një nga të shpërngulurit e qytetit-kufi të Kafër-Luseinit në Siri.

"Shpresojmë që do bëjnë atë që premtuan dhe nuk do e mashtrojnë popullin sirian," shton një tjetër banor.

Turqia deri tani strehon rreth 3,6 milionë refugjatë sirianë dhe i ka kërkuar Damaskut të lirojë Idlibin për të mundësuar kthimin e një pjese të tyre në të ashtuquajtin korridor të paqes ku përfshihet Idlibi.

Në luftimet në rajon, Turqia mbështet rebelët që dikur donin të rrëzonin presidentin Asad, ndërsa ky i fundit me përkrahjen e Rusisë thotë se lufton për të çliruar territorin gjeografik të vendit nga terroristët.

Ankaraja ka kërcënuar forcat qeveritare të largohen nga rajoni brenda shkurtit për të evituar përballjen.