Shpërthimi i COVID-19 mund të çojë në mungesë ilaçesh në Evropë
Ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn paralajmëroi se shpërthimi aktual i koronavirusit (COVID-19) mund të çojë në mungesë ilaçesh në Evropë, pasi shumë prej kimikateve të përdorura në produktet farmaceutike prodhohen në Kinë.
“Disa nga përbërësit aktivë për produktet farmaceutike vijnë në Evropë kryesisht nga Kina dhe rastësisht edhe nga krahina e Hubeit”, tha Spahn para një takimi në Bruksel me homologët e tij të BE për të diskutuar mbi epideminë.
‘’Një ndalesë prodhimi në Kinë mund të ketë një efekt zinxhir në Evropë’’, theksoi ai.
Spahn fton Komisionin Evropian të analizojë situatën dhe të paraqesë propozime për të zgjidhur problemin.
Ai gjithashtu kërkon një koordinim më të mirë të procedurave të shqyrtimit të koronavirusit ndërmjet shteteve anëtare të BE-së./atsh/























