NATO: SHBA dhe Evropa duhet të jenë më të bashkuar se kurrë

NATO: SHBA dhe Evropa duhet të jenë më të bashkuar se kurrë

Nga Konferenca për Sigurinë në Mynih, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u ka bërë thirrje aleatëve evropianë dhe Shteteve të Bashkuara që të punojnë më shumë së bashku.

Thirrja vjen pas shqetësimeve për ndarje brenda aleancës dhe kritikave nga presidenti amerikan Donald Trump.

''Ne jemi 29 vende demokratike me histori, gjeografi dhe kulturë të ndryshme, prandaj sigurisht që ndonjëherë nuk jemi dakord. Por të dhënat historike tregojnë se, pavarësisht nga dallimet tona, ne kemi qenë gjithmonë në gjendje të bashkohemi rreth qëllimit tonë të përbashkët: të qëndrojmë së bashku dhe të mbrojmë njëri-tjetrin,'' tha ai.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump vazhdimisht ka deklaruar se aleatët evropianë të NATO-s nuk po shpenzojnë sa duhet për të mbështetur aleancën, shkruan The Guardian.

Më herët Stoltenberg deklaroi se aleanca është e përkushtuar në promovimin e vlerave demokratike dhe prosperitetit.

“Ne nuk e kemi humbur rrugën dhe vlerat tona nuk kanë humbur vlerën e tyre. Liria, demokracia dhe sundimi i ligjit kanë sjell prosperitet. Nuk besoj vetëm në Evropë, nuk besoj vetëm në Amerikë. Unë besoj në Evropën dhe Amerikën së bashku”, tha Stoltenberg.