Guterres do të marrë pjesë në konferencën për refugjatët afganë

Guterres do të marrë pjesë në konferencën për refugjatët afganë

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka arritur në Pakistan, ku gjatë kësaj vizite do të takohet me liderët pakistanezë dhe do të marrë pjesë në konferencën për refugjatët afganë, tha Ministria e Jashtme e Pakistanit.

“Pakistani është njëri ndër kontribuuesit më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm në përpjekjet paqeruajtëse në mbarë botën”, tha Guterres përmes një postimi në Twitter më 15 shkurt.

Pakistani po organizon konferencën ndërkombëtare me agjencinë e OKB-së për refugjatë UNHCR, për të shënuar 40-vjetorin kur qindra mijëra afganë gjetën strehim në këtë vend.

Konferenca dyditore, që nis më 17 shkurt, do të hapet nga kryeministri pakistanez, Imran Khan.

Ministria e Jashtme pakistaneze tha se pjesëmarrja e shefit të OKB-së në këtë konferencë është “njohje e dhembshurisë, bujarisë dhe vendosmërisë të Pakistanit për mikpritjen e refugjatëve afganë për katër dekada dhe përpjekjeve tona për paqe dhe stabilitet në Afganistan”, transmeton REL.

Në Pakistan gjenden rreth 2,4 milionë persona që kanë ikur nga Afganistani, kur ky shtet u pushtua nga Bashkimi Sovjetik më 1979 apo edhe nga konfliktet e mëvonshme.

Shumica prej tyre jetojnë në kampe, ndërsa disa të tjerë kanë ndërtuar jetën e tyre në qytetet pakistaneze.


MË SHUME NGA Bota