HSBC do të shkurtojë dhjetëra-mijëra vende pune
Banka më e madhe në Evropë, HSBC, tha se do të shkurtojë rreth 35,000 vende pune, për t`u përqendruar më shumë në tregjet në rritje në Azi dhe për t`u përballur më mirë me pasiguritë globale.
Shefi i përkohshëm ekzekutiv i bankës, Noel Quinn, tha se numri i njerëzve të punësuar do të bie nga 235,000 në 200,000 në tre vjetët e ardhshëm.
Quinn tha se ekipi i tij tashmë ka nisur me zbatimin e planeve.
Ristrukturimi, sipas tij, përfshin "konsolidimin" e disa pjesëve të biznesit dhe "riorganizimin e funksioneve globale dhe të selisë".
Banka, e cila është me seli në Londër, por fiton pjesën më të madhe të parave të saj në Azi, raportoi se fitimi i saj neto ka rënë me 53% në vitin 2019, përkatësisht 6 miliardë dollarë.
Shkurtimi i 35,000 vendeve të punës nënkupton zvogëlim të rreth 15% të fuqisë punëtore.
Banka HSBC aktualisht operon në më shumë se 50 vende në Amerikën e Veriut, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azi.























