Australi, 75 për qind e popullsisë është prekur nga zjarret
BKT
   Bota

Australi, 75 për qind e popullsisë është prekur nga zjarret

Raporti hulumtues ka zbuluar se rreth 3 milionë njerëz në vendin me popullsi rreth 25 milionë banorë janë prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zjarri, ndërsa rreth 15 milionë njerëz në mënyrë indirekte.

Më shumë se 75 për qind e popullsisë u prek drejtpërdrejtë ose indirekt nga zjarret e pyjeve të cilat pasi filluan në shtator 2019 në Uellsin e Ri Jugor (NSW) të Australisë, u përhapën më pas në Queensland, Victoria dhe në Australinë e Jugut.

Universiteti Kombëtar i Australisë (ANU) publikoi në formën e një raporti të dhënat e arritura nga kërkimet e tij lidhur me ndikimin që kanë patur mbi australianët zjarret e pyjeve më të mëdha në historinë e vendit që vazhduan përreth 6 muaj dhe për të cilat javën e kaluar u njoftua se u morën nën kontroll.

Raporti hulumtues ka zbuluar se rreth 3 milionë njerëz në vendin me popullsi rreth 25 milionë banorë janë prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zjarri, ndërsa rreth 15 milionë të tjerë në mënyrë indirekte.

- Australianët do të jetojnë për vite me radhë me efektet e zjarreve

Profesori Nicholas Biddle, lider i ekipit që ka publikuar raportin e përgatitur, duke kontaktuar më shumë se 3 mijë australianë në të gjithë vendin është shprehur se, "Pothuajse çdo australian është prekur nga këto zjarre dhe shumë prej nesh do të jetojnë për vite me radhë me efektet e kësaj".

Duke deklaruar se raporti është studimi më i madh dhe më gjithëpërfshirës që është bërë deri më tani nëpërmjet perceptimeve publike lidhur me zjarret e pyjeve, Biddle, tha se, "këto zjarre kanë pasur efekte të pashembullta dhe globale".

- Rreth 11 milionë hektarë të djegur

Zjarret shpërthyen në shtator 2019 në Uellsin e Ri Jugor (NSW) dhe më pas u bënë aktive në pyjet dhe pjesët e shkurreve në rajonet Queensland, Victoria dhe Australinë e Jugut. Si pasojë e zjarreve, të cilat herë-herë u përhapën edhe në vendbanime, humbën jetën 33 persona.

Gjithsej tre mijë shtëpi dhe 11 milionë hektarë tokë, pjesa më e madhe në NSW, janë shndërruar në hi si pasojë e zjarreve, kurse është raportuar se 1.25 miliardë gjallesa mund të kenë ngordhur nga katastrofa.