Sekuestrohen miliona cigare
BKT
   Bota

Sekuestrohen miliona cigare

Policia spanjolle dhe Europoli kanë shkatërruar një grup të organizuar kriminal të prodhimit dhe trafikimit të cigareve dhe lëndëve narkotike.

Operacioni "Hanibal" u zhvillua në një fshat në rajonin mesdhetar spanjoll të Andaluzisë, ku fabrika e autorëve u gjet e fshehur poshtë një bunkeri katër metra nën tokë.

Ndërmarrja industriale operohej nga gjashtë punonjës ukrainas në kushte të vështira sanitare dhe jetese, pasi sipas policisë punonjësve nuk u lejohej dalja sipas dëshirës dhe silleshin në ambient me sytë e lidhur.

Linja klandestine kishte kapacitetin të prodhonte deri 3,500 cigare në orë me përbërës të cilësisë së dobët dhe i siguronte grupit deri 625 mijë euro përfitime çdo javë.

Në vendngjarje, policia sekuestroi 3 milionë cigare, 153 mijë paketa, 17,6 kilogramë duhan, dhe mbi 160 kilogramë hashish dhe marihuanë.

Në pranga ranë 20 persona, përfshirë kreun e bandës që mendohet të jetë një shtetas britanik i moshës 30 vjeç dhe një tjetër shtetas lituan.

Sipas Europolit, mbi 46 miliardë cigare të prodhuara ilegalisht u shitën në tregun e zi evropian në vitin 2018, me një kosto fiskale për qeveritë e kontinentit që arrinin deri 10 miliardë euro në vit.