Meksikë, ish-presidenti Nieto nën hetim për korrupsion
Ish-presidenti meksikan, Enrique Pena Nieto është nën hetim, në kuadër të një skandali korrupsioni që ka prekur kompaninë shtetërore të naftës “Pemex”, njoftoi gazeta “Wall Street Journal”.
Hetimi ka të bëjë me veprimet e ish-kreut të kompanisë së naftës, Emilio Lozoya, i cili u arrestua në Spanjë javën e kaluar dhe që dyshohet se ka pranuar miliona dollarë ryshfete.
Sipas një zyrtari të lartë të gjyqësorit, korrupsioni arrin nivelin më të lartë dhe përfshin ish-presidentin meksikan, i cili u largua nga detyra në fund të vitit 2018.
Emilio Lozoya, bashkëpunëtor shumë i ngushtë i Enrique Pena Nieto-s, akuzohet se ka marrë disa miliona dollarë nga gjiganti brazilian i BTP Odebrecht, i cili pranoi se u ka dhënë ryshfete shumë udhëheqësve politikë latino-amerikanë.
Këto fonde dyshohet se janë përdorur për fushatën presidenciale të ish-presidentit meksikan.
“Pemex” është kompania më e madhe shtetërore e Meksikës, por edhe një nga kompanitë më me borxhe në botë./atsh/























