Mungesat e stafit në spitale e në QKUK

Mungesat e stafit në spitale e në QKUK

Për shkak të mungesës së mjekëve disa reparte në spitalet rajonale në vend rrezikojnë të mbyllen.

Një nga repartet në Spitalin e Gjakovës veçse është mbyllur gjatë vitit të kaluar, derisa drejt mbylljes janë edhe reparte të tjera në spitalet rajonale.

Drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, ka thënë për “Zërin” se vazhdimisht janë duke bërë planifikimin për rritjen e stafit.

Sipas tij, në Spital kanë nevojë edhe për 30 infermierë. “Në të gjitha repartet kemi nevojë për infermierë. Ne kemi nevojë për momentin edhe për 30 infermierë shtesë. Në Repartin e ORL-së kemi pak mjekë e pak infermierë, ndërsa edhe në Repartin e Oftalmologjisë duhet të shtohet stafi. Në të gjitha shërbimet për të funksionuar si i ka hije një spitali duhet të ketë shtim të stafit. Mirëpo ne për shkak të mungesave buxhetore e për shkak të problematikave tjera jemi munduar që koordinimin ta bëjmë në këtë mënyrë”, ka theksuar ai.

Zeqiri ka thënë se i kanë bërë planifikimet dhe se tani duhet ta shohin mundësinë buxhetore në nivel të Ministrisë së Shëndetësisë se a ka mundësi ta rrisin numrin e punëtorëve shëndetësorë për këtë vit.

Përndryshe, përveç spitaleve rajonale, edhe klinikat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë shprehur nevojën për rekrutim të stafit.


MË SHUME NGA Shëndetësi