Zelensky: Sulmet ndaj të riatdhesuarve nga Kina sjellje mesjetare

Zelensky: Sulmet ndaj të riatdhesuarve nga Kina sjellje mesjetare

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dënoi sulmet në Ukrainë kundër autobusëve që transportonin personat e riatdhesuar nga Kina, për shkak të koronavirusit, duke i përkufizuar si sjellje mesjetare.

“Vazhdojmë të themi se Ukraina është Evropë, por duhet t’ju them se, fatkeqësisht, dje u sollëm sikur të ishim në Evropën mesjetare”, deklaroi Zelensky.

“Të mos harrojmë se jemi të gjithë njerëz dhe jo… më mirë të mos e them se çfarë”, vazhdoi ai.

Një turmë personash sulmoi dje me gurë dhe zjarr autobusët që po transportonin 45 shtetas ukrainas dhe 27 të huaj, të riatdhesuar nga Wuhani.

Episodi, që ndodhi në mes të natës, midis aeroportit të Kharkiv-it, ku zbritën të riatdhesuarit dhe spitalit të Novi Sanzhary-t, ku po drejtoheshin për një periudhë karantine, mund të jetë nxitur nga një email i rremë i Ministrisë së Shëndetësisë së Ukrainës, sipas të cilit këta persona ishin infektuar nga virusi.

Në të vërtetë, të riatdhesuarit kanë rezultuar negativë në teste.