Rreziku nga Coronavirusi, nxënësit në “Faik Konicë” mësojnë me maska

Rreziku nga Coronavirusi, nxënësit në “Faik Konicë” mësojnë me maska

Nxënës të klasës së pestë të shkollës fillore “Faik Konika”, në Prishtinë, orët e mësimit i kanë mbajtur me maska. Edhe dezinfektimi i duarve, e kanë bërë një nga një.

Të gjitha këto masa mbrojtëse po bëhen për shkak të rrezikut të mundshëm nga virusi kinez, i cili deri më tani ka marrë mbi 2700 jetë njerëzish.

Për këtë, ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat në vend i është kushtuar rrezikut dhe masave mbrojtëse për Coronavirusin.

Mësuesja e kësaj klase Shpresa Gecaj, për të mos shkaktuar panik te nxënësit, fillimisht u foli si duhet të mbrohen nga gripi e më pas mbajti ligjëratë për virusin kinez.

Por, këto informacione rreth Coronavirusit, për rrezikun, simptomat e masat mbrojtëse, nuk patën mundësi t’i dëgjojnë 10 nxënësit, të cilët ka disa ditë që mungojnë si shkak i gripit sezonal.

Mësuesja Shpresa Gecaj, tha se ditëve të fundit ka pasur mungesa të nxënësve për shkak të gript sezonal, prandaj edhe vendimin e MAShTI po e konsideron me vend.

“Vendimi i MAShTI-t është shumë me vend, gjë që këtë e kam filluar që dy ditë, se kam pasur shumë mungesa të nxënësve në klasë. Iu kam treguar nxënësve iu kam thënë për masat mbrojtëse te gripit aktual, e njëjta gjë është me masat mbrojtëse të gripit tjetër, besoj që në vendin tonë nuk do të jetë, sepse po dua të besoj ashtu”.

“Ligjërata ka qenë shumë e mirëpritur, nxënësit kanë qenë shumë të interesuar dhe kanë njohuri të shumta rreth këtij grip dhe të gjithë janë përgatitur pak a shumë me masa mbrojtëse, që të kenë pastërti dhe të mos vijnë deri te ajo”.

Edhe mësuesja Naime Bunjaku, tha se nxënësve iu kanë shpejguar për masat parandaluese ndaj Coronavirusit, raporton EO.

“Nga MASHTI na ka ardhur që sot ora e parë të jetë një ligjëratë për gripin që tash po kanoset, Coronavirusin. Nxënësit nuk kanë asnjë lloj frike, asnjë lloj panik, në një far forme veç po frekuenton gripi tjetër te ne, që është sezonal, veç kemi pasur mungesa të nxënësve dhe  është lidhur pak a shumë me gripin që është te ne”.

“Kemi folur edhe më herët për shkak se nxënësit janë të informuar nga mediet, i kam këshilluar nxënësit edhe më herët që të pinë sa më shumë ujë dhe ta kenë sa më të freskët edhe të ketë limon në atë ujë ta kenë imunitetin më të fortë. Çdo ditë ju flasim për higjienën, pastërtinë, rregullat, sot kemi folur më gjatë janë njoftuar cilat janë masat parandaluese, është pritur mirë, pa panik, i kam përgatitur që te ne nuk ka rrezik”, u shpreh ajo.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShP), kanë shpërndarë nëpër shkolla materiale vetëdijësuese rreth Coronavirusit.