Udhëtimet nga Italia nuk ndalen, të dyshuarit me koronavirus janë negativ

Udhëtimet nga Italia nuk ndalen, të dyshuarit me koronavirus janë negativ

Asnjë rast me koronavirus nuk është raportuar në Kosovë, pavarësisht që ka pasur raste të dyshuara me të. Qytetarë nga shtete ku është i përhapur ky virus po vazhdojnë të vinë në Kosovë, kështu duke rritur edhe rrezikun për përhapje e tij në vend.

Pavarësisht që koronavirusi është përhapur në Itali, udhëtimet nga ky shtet për në Kosovë nuk janë ndalur.

Gjatë ditës së djeshme ka pasur edhe fluturime nga ky shtet për në Kosovë, të cilat do të vazhdojnë edhe javëve tjera. Përveç fluturimeve, edhe përmes pikave kufitare në vend kosovarët që jetojnë në Itali po kthehen në Kosovë.

Me rritjen e numrit të personave që po kthehen në Kosovë nga shtetet tjera ku është i përhapur koronavirusi është vlerësuar se do të rritet edhe rreziku për përhapjen e tij në vend.

Deri tani 17 raste janë raportuar si të dyshuara me koronavirus në Kosovë, megjithëse asnjëra nga to nuk ka rezultuar të jetë pozitive.

Mjekët janë shprehur se raste me këtë virus mund të paraqiten në vend ditëve të ardhshme. Ndërsa për t’u mbrojtur nga koronavirusi tashmë janë shtuar masat mbrojtëse. Ekipe mjekësore janë dërguar në pikën kufitare në Merdarë e në aeroportin e Prishtinës për t’i kontrolluar qytetarët që vinë nga shtetet tjera.

Në bazë të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës edhe Drejtoria e Shëndetësisë dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë kanë dërguar ekipin mjekësor në pikën kufitare në Merdarë, shkruan Zëri.

Nga Komuna e Podujevës është bërë e ditur se ekipi mjekësor do të jetë në shërbim 24 orë për identifikimin dhe për kontrollimin e udhëtarëve që kalojnë në këtë pikë kufitare dhe të cilët mund të kenë simptomat e infektimit nga koronavirusi.


MË SHUME NGA Bota