Përhapja e koronavirusit mund të shkaktojë recesion në ekonominë globale

Përhapja e koronavirusit mund të shkaktojë recesion në ekonominë globale

Në shumë vende të botës, vazhdojnë raportimet për raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri, ndërsa bota po përgatitet për një pandemi të sëmundjes.

Ndikimet e koronavirusit në ekonomi po rriten, pasi investitorët thanë se janë në pritje të një recesioni global, raporton Reuters.

Çmimet e aksioneve, shënuan javën më të keqe, që nga kriza globale financiare në vitin 2008, pasi ndërprerjet në zinxhirët e udhëtimit dhe furnizimit ndërkombëtar, nxitën frikën e recesionit në Shtetet e Bashkuara dhe në zonën e euros.

Nga koronavirusi i ri, që u paraqit për herë të parë në Kinë, janë infektuar më shumë se 83.000 njerëz në mbarë botën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka quajtur sëmundjen COVID-19.

Si është gjendja në disa vende të botës?

Kina raportoi 327 raste të reja, duke e ngritur numrin e të infektuarve në 78.800 raste me gati 2.800 vdekje.

Autoritetet italiane njoftuan të enjten se ka arritur në 650 numri i personave të prekur nga koronavirusi.

Japonia do të kërkojë mbylljen e të gjithave shkollave nga dita e hënë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, ka thënë kryeministri japonez, Shinzo Abe.

Ministria e Shëndetësisë në Iran u ka kërkuar autoriteteve të anulojnë lutjet e së premtes në qytetet e mëdha.

Çfarë thotë OBSH-ja?

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se të gjitha kombet duhet të përgatiten.

“Ky virus ka potencial pandemik,” tha Tedros.

“Kjo nuk është një kohë për frikë. Kjo është një kohë për të ndërmarrë veprime për të parandaluar infeksionin dhe për të shpëtuar jetët”, tha ai.

Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.