Përfundon armëpushimi, talibanët i vrasin tre civilë
Tre persona janë vrarë dhe 11 të tjerë janë lënduar nga një sulm me bombë gjatë një ndeshjeje futbolli në pjesën lindore të Afganistanit. Talibanët njoftuan se i kanë dhënë fund armëpushimit të pjesshëm, vetëm dy ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara.
Talibanët më parë ishin pajtuar për zvogëlimin e dhunës për një javë si masë për ndërtimin e besimit para marrëveshjes së nënshkruar të shtunën. Me këtë marrëveshje, Shtetet e Bashkuara u zotuan se do t’i largojnë të gjitha trupat nga Afganistani brenda 15 muajve, nëse talibanët i fillojnë bisedimet me qeverinë afgane.
Armëpushimi i pjesshëm përfundoi të shtunën, por zyrtarët amerikanë kishin shfaqur shpresë se ai do të zgjatej pas marrëveshjes së nënshkruar. Presidenti afgan, Ashfraf Ghani, u zotua se forcat qeveritare do ta respektojnë armëpushimin së paku deri më 10 mars, kur pritet të fillojnë bisedimet e brendshme.
Sidoqoftë, duket se këto bisedime janë në rrezik, sepse qeveria afgane tha se nuk është pajtuar që t’i lirojë pesë mijë të burgosur talibanë para fillimit të negociatave.
Në anën tjetër, një zëdhënës i talibanëve tha se nuk do të ketë paqe pa lirimin e të burgosurve të këtij grupi, shkruan “The Guardian”























