ShBA-ja i sulmon talibanët për herë të parë pas marrëveshjes
BKT
   Bota

ShBA-ja i sulmon talibanët për herë të parë pas marrëveshjes

Shtetet e Bashkuara e kanë kryer sulmin e parë ajror kundër talibanëve pas nënshkrimit të marrëveshjes për tërheqjen e trupave amerikane. Lajmin e bëri të ditur një zëdhënës i forcave amerikane.

“Luftëtarët talibanë ishin duke e sulmuar në mënyrë aktive një pikë kontrolli të forcave afgane. Ky ishte një sulm mbrojtës për ta penguar sulmin e tyre”, tha koloneli Sonny Leggett, i cili shërben si zëdhënës i forcave amerikane në Afganistan.

Ai shtoi se Uashingtoni është i përkushtuar për paqe, por do t’i mbrojë forcat afgane, nëse një gjë e tillë është e nevojshme, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

“Udhëheqësit e talibanëve i premtuan komunitetit ndërkombëtar se do ta pakësojnë dhunën dhe se nuk do t’i rrisin sulmet. Ne u bëjmë thirrje talibanëve që t’i ndërpresin sulmet e panevojshme dhe t’i mbajnë zotimet e tyre”, shtoi koloneli amerikan.

Ky ishte sulmi i parë i forcave amerikane kundër talibanëve në 11 ditët e fundit, pas nënshkrimit të marrëveshjes për zvogëlimin e dhunës, e cila kishte afat vetëm një javë.