Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Bregun Perëndimor nga Covid-19
Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur me dyshimin se disa punonjës të një hoteli në Betlehem janë infektuar me Covid-19.
Ministria palestineze e Shëndetësisë shpalli gjendje të jashtëzakonshme në Bregun Perëndimor nën okupim me dyshimin për koronavirus tek punonjësit e një hoteli.
Në një deklaratë nga ministria thuhet se në të gjithë Bregun Perëndimor është shpallur gjendje e jashtëzakonshme me dyshimin për koronavirus (Covid-19) dhe se janë mbyllur për 14 ditë të gjitha institucionet arsimore, xhamitë dhe kishat në qytetet Betlehem dhe Eriha.
Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur me dyshimin se disa punonjës të një hoteli në Betlehem janë infektuar me Covid-19.
"Të dyshuarit janë vendosur në karantinë dhe janë në pritje të rezultateve të analizave", thuhet në deklaratën e ministrisë ku popullatës i bëhet thirrje që të jetë e qetë dhe të presë udhëzimet e ministrisë.
Më tej thuhet se një hotel në Betlehem është shndërruar në qendër karantine dhe se janë ndaluar hyrjet e grupeve turistike dhe rezervimet e hotelit.
Një grup turistësh koreano-jugorë tek të cilët u shënua më parë koronavirusi, thuhet se krahas vizitave në qytete të ndryshme të Izraelit ata kanë vizituar edhe Jerusalemin Lindor, Betlehemin dhe Erihan të Palestinës.
Në një deklaratë autoritetet e Koresë së Jugut njoftuan se grupi i turistëve koreano-jugorë prej 77 personash kanë vizituar gjatë periudhës 8-15 shkurt Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor si dhe qytete të ndryshme të Izraelit. Ishte njoftuar se pas kthimit në vend, 29 prej këtyre turistëve ishin përcaktuar me koronavirus.
Bëhet e ditur se rreth 200 studentë izraelitë që kanë kontaktuar me grupin e turistëve në fjalë janë vendosur në karantinë në shtëpitë e tyre.
Qeveria e Tel Avivit tha se duke filluar nga 24 shkurti nuk do të pranojë në Izrael të huajt që vijnë nga Koreja e Jugut dhe Japonia./aa/























