Hiqet ndalesa për qasje në rrjetet sociale në Xhamu Kashmir
BKT
   Bota

Hiqet ndalesa për qasje në rrjetet sociale në Xhamu Kashmir

Pavarësisht heqjes së ndalesës për qasje në rrjetet sociale në rajon, vazhdojnë kufizimet për internet të shpejtë.

Në rajonin Xhamu Kashmir të Indisë, statusi special i së cilës u hoq më 5 gusht vitin e kaluar dhe ku u zbatua orë policore dhe kufizime në telekomunikacion, pas 7 muajve iu dha fund ndalesës për qasje në platformat e rrjeteve sociale.

Pavarësisht heqjes së ndalesës për qasje në rrjetet sociale në rajon, vazhdojnë kufizimet për internet të shpejtë.

Administrata e Xhamu Kashmirit njoftoi se këtë vendim e kanë marrë pas vlerësimit të situatës së sigurisë në rajon, duke shtuar se interneti me shpejtësi të ulët 2G do të vazhdojë të përdoret.

Gjithashtu nga administrata njoftuan se kompjuterët me ekran me prekje ku mund të arrihet qasje në internet në vendet publike do të vazhdojnë të shërbejnë.

Shumë qytetarë të Xhamu Kashmirit përpiqeshin që kufizimet disa muajshe të qeverisë indiane t'i kundërshtojnë me VPN (Rrjet Virtual Privat).

Lidhja me shpejtësi të ulët 2G filloi të shërbejë pjesërisht më 25 janar ndërsa ndalesa për qasje në rrjetet sociale kishte vazhduar.

- Heqja e statusit të veçantë të Xhamu Kashmirit

India më 5 gusht të vitit të kaluar duke anuluar nenin 370 kushtetues që i njeh Kashmirit statusin e veçantë për më shumë se gjysmë shekulli, eliminoi strukturën me status të veçantë të rajonit dhe e ndau Xhamu dhe Kashmirin në territorin e dy njësive.

Pas vendimit, forcat indiane të sigurisë në Xhamu Kashmir intensifikuan operacionet e rendit dhe presionet mbi popullatën, ndërprenë linjat e komunikimit si dhe arrestuan drejtuesit dhe anëtarët e të gjitha partive lokale në rajon.

Që nga viti 1947 kur India fitoi pavarësinë nga Britania e Madhe, Xhamu Kashmiri ishte në një pozitë të privilegjuar të miratonte ligjet e veta. Ky status i veçantë përfshinte edhe ligjin e shtetësisë, i cili nuk lejonte që të huajt të vendoseshin dhe të përfitonin pronë në rajon.