SHBA, sondazhet në 6 shtete, Biden epërsi dyshifrore Sanders
Demokratët amerikanë Xho Bajdën dhe Bërni Sendërs përballen me një garë të rëndësishme për të marrë nominimin për të sfiduar presidentin Donald Trump.
Rivalët demokratë për garën presidenciale në SHBA hyjnë në një tjetër sfidë kritike.
Dy pretendentët kryesorë, ish-zv.presidenti Xho Bajdën dhe senatori Bërni Sendërs konkurrojnë përballë njëri-tjetrit në gjashtë shtete amerikane.
Sondazhet e fundit tregojnë për një epërsi dyshifrore të Bajdënit, që parashikohet të rritet nëse ai fiton të martën edhe shtetin e Miçiganit.
Një ditë më parë, krah tij dolën dy ish-senatorët demokratë Kori Bukër dhe Kamala Haris, për t'i dhënë më tepër vota nga komuniteti afroamerikan.
"Ditët përçarëse të Donald Trampit kanë për të marrë fund së shpejti," deklaroi Bajdën para 2 mijë simpatizantëve në një shkollë të Miçiganit.
Ky shtet ofron 125 delegatë apo më shumë se secili nga pesë shtetet e tjera që shkojnë në zgjedhjet paraprake të martën, përkatësisht Misisipi, Misuri, Dakota e Veriut, Aidahoja dhe Uashingtoni.
Në Miçigan, më i moshuari i garës presidenciale, senatori 78-vjeçari Sendërs arriti në vitin 2016 që të triumfojë në fushatën paraprake përballë rivales së atëkohshme Hilari Klinton.
"E kuptoj që Xho Bajdën ka mbështetjen e tërë establishmentit politik. Por ne kemi mbështetjen e lëvizjeve qytetarëve më të mira të kombit, që unë i preferoj qindra herë më shumë," deklaroi senatori.
Aktualisht Bajdën kryeson me 670 delegatë në total kundrejt 574 që numëron Sendërs, ndërkohë që kandidatët më me pozita të tërhequr nga gara kanë dalë në përkrahje të ish-zv.presidentit 77-vjeçar.
Në një sondazh të televizionit amerikan, CNN, Bajdën do të kishte mundësitë më të larta për të mundur presidentin Tramp në garën e 3 nëntorit.























