Sudan, arrestohen disa të dyshuar lidhur me atentatin ndaj kryeministrit
BKT
   Bota

Sudan, arrestohen disa të dyshuar lidhur me atentatin ndaj kryeministrit

"Hetimet lidhur me ngjarjen vazhdojnë. Njësitë e sigurisë kanë arrestuar disa të dyshuar përfshirë edhe të huaj", tha Ministri i Informacionit dhe zëdhënësi i qeverisë së Sudanit, Faisal Mohamed Saleh.

Janë arrestuar disa të dyshuar, përfshirë edhe të huaj, lidhur me tentativën për atentat ndaj kryeministrit të Sudanit, Abdalla Hamdok.

Ministri i Informacionit dhe zëdhënësi i qeverisë së Sudanit, Faisal Mohamed Saleh pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, lidhur me atentatin ndaj kryeministrit tha se "Hetimet lidhur me ngjarjen vazhdojnë. Njësitë e sigurisë kanë arrestuar disa të dyshuar përfshirë edhe të huaj".

Ai tha se për zbardhjen e ngjarjes kanë marrë mbështetje edhe nga një ekip ekspertësh të ardhur nga SHBA-ja. "Një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në Sudan. Nuk kemi ide as për shpërthimet dhe as për mjetet autobombë. Ekipi i hetimit amerikan me pajisje moderne teknike dhe ekspertizë që ne nuk kemi do të marrë pjesë në studimin tonë. Në hetimin tonë do të marrë pjesë ekipi amerikan i cili ka pajisjet teknike dhe ekspertë të cilët ne nuk i kemi", tha Saleh.

Saleh theksoi se mbështetja e ekipit amerikan vjen në kuadër të marrëveshjes ndërkombëtare lidhur me luftën kundër terrorizmit.

Kryeministri Hamdok shpëtoi pa pësuar ndonjë plagë nga një sulm i kryer ndaj autokolonës së tij mëngjesin e së dielës në kryeqytetin Khartoum. Një autobombë e vendosur shpërtheu gjatë kalimit të autokolonës së kryeministrit Hamdok mbi urën Kuber. Si pasojë e shpërthimit nuk pati të vdekur apo të plagosur.