SHBA, shpallet gjendje emergjente në Washington për shkak të koronavirusit
Kryebashkiakja e Washingtonit, Muriel Bowser, në një konferencë për media njoftoi se në kryeqytetin amerikan është shpallur "gjendje emergjente" për shkak të COVID-19.
Sot në kryeqytetin e SHBA-së, Washington, u shpall "gjendje emergjente" për shkak të epidemisë së koronavirusit të ri COVID-19, raporton Anadolu Agency.
Masa kundër virusit vdekjeprurës u njoftua nga kryebashkiakja e Washingtonit, Muriel Bowser, në një konferencë për media.
Në Washington deri më tani janë konfirmuar katër raste me koronavirusin, ndërsa në shtetet fqinje Maryland dhe Virginia janë regjistruar nga nëntë raste.
Koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, u zbulua për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan, Kinë, ndërsa ka shkaktuar deri tani mijëra të vdekur.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli koronavirusin e ri pandemi globale.























