Chelsea Manning sërish do të lirohet nga burgu
Urdhri për të liruar denoncuesen Chelsea Manning vjen disa ditë pas tentimit për vetëvrasje.
Një gjykatës federal urdhëroi lirimin nga paraburgimi të ish-analistes së inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, shkaku i dyshimeve se denoncuesja e WikiLeaks-it kishte tentuar vetëvrasje derisa ishte në paraburgim.
Gjykatësi i rrethit Anthony Trenga urdhëroi lirimin e Manning nga burgu, ku ajo ishte mbajtur që nga maji kur refuzoi të japë dëshmi para jurisë, pasi organi i procedurës paraprake që e kishte hetuar, ishte shpërbërë.
"Gjykata konstaton se paraqitja e zonjës Manning para Jurisë së Madhe nuk është më e nevojshme, me çka ndalimi i saj nuk shërben më për ndonjë qëllim detyrues", shkroi Trenga.
Manning duhet të paguajë gjobë prej rreth 256.000 dollarë, që iu caktua pasi ajo refuzoi të dëshmojë para jurisë, e cila po heton WikiLeaks-in, internet faqen e denoncuesve të krijuar nga sipërmarrësi australian, Julian Assange.
Të mërkurën, avokatët e Manning thanë që ajo kishte tentuar vetëvrasje derisa ishte në burg. Zyrtarët në qendrën e paraburgimit në Alexandria, Virxhinia, thanë që kishte pasur një incident dhe konfirmuan që Manning ishte i sigurt.
Para burgosjes së saj të fundit pasi refuzoi të dëshmonte, Manning kishte shërbyer 7 vjet në një burg ushtarak për rrjedhjet e qindra mijëra dokumenteve ushtarake amerikane në WikiLeaks. Ajo u la e lirë në vitin 2017 me urdhër të ish-presidentit amerikan, Barack Obama.
Assange po mbahet në një burg në Londër pasi gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar konsiderojnë kërkesën amerikane për ekstradimin e tij në SHBA, ku ai është akuzuar për komplot me Manning për vjedhjen e materialeve të klasifikuara që ruheshin në një rrjet kompjuterik në Pentagon.























