Covid-19, rriten rastet në Evropë
BKT
   Bota

Covid-19, rriten rastet në Evropë

Ndërsa harta e koronavirusit përhapet në Evropë, një numër vendesh në kontinent shfaqin bilancet më të rënduara dhe raportojnë ritme të shtuara të epidemisë.

Disa vende evropiane po përjetojnë rritje të numrit të të infektuarve me sindromën Covid-19.

Pas vatrës kryesore që mbetet Italia, me gati 15 mijë raste dhe mbi 1 mijë viktima që nga fillimi i epidemisë, vendi i dytë më në rrezik raportohet të jetë Spanja.

Vetëm në kryeqytetin spanjoll, në Madrid, numri i personave që rezultuan pozitiv me koronavirusin u rrit në 1,400 mëngjesin e së premtes, ndërsa në rang kombëtar shifra arriti mbi 3 mijë dhe bilanci i viktimave më shumë se 80.

600 raste të reja u konfirmuan edhe në Francë, duke prekur totalin prej 2,900 raste dhe mbi 60 vdekje.

"Duke nisur nga e hëna, deri në një urdhër të dytë, çerdhet, shkollat e ciklit të ulët, të mesëm dhe universitet do të mbyllen për faktin e thjeshtë se sipas shkencëtarëve fëmijët, të rinjtë tanë e transmetojnë më shpejt virusin pa shfaqur simptoma. U kërkoj kompanive të lejojnë nëpunësit e tyre të punojnë nga shtëpia ndërsa shtetasve tanë mbi 70 vjeç, që kanë sëmundje kronike dhe të frymëmarrjes, të qëndrojnë në shtëpi sa më gjatë," deklaroi presidenti francez, Emanuel Makron.

Në shtetin fqinj, në Gjermani, numri i personave që kanë humbur jetën është rritur në 5 ndërsa të prekurit me sëmundjen infektive, mbi 2,400.

"Jemi në një situatë të jashtëzakonshme në të gjithë kuptimet, dhe do të thosha më të jashtëzakonshme sesa kriza bankare e 2008-ës, pasi po përballemi me një problematikë shëndetësore për të cilën shkencëtarët dhe doktorët nuk kanë përgjigje," u shpreh kancelarja gjermane Angela Merkël pas takimit disaorësh me kryetarët e qeverive të 16 provincave të vendit.

Edhe vendet si Zvicra, Danimarka, Holanda apo Suedia raportojnë rritje të rasteve me koronavirus, ndërsa në Britaninë e Madhe janë konfirmuar rreth 600 raste, por që sipas qeverisë, shifra aktuale mund të arrijë 5 deri 10 mijë, transmeton oranews.

Nga vendet e rajonit, mëngjesin e së premtes Greqia raportoi mbi 117 të prekur nga infeksioni, Maqedonia e Veriut 9 raste, Bosnjë-Hercegovina 11, Kroacia dhe Serbia nga 31 raste me koronavirus.